Muzikant, producent, artist vizual, mendimtar dhe aktivist, Brian Eno për herë të parë u bë ndërkombëtarisht i famshëm në fillim të viteve të '70 si një nga bashkëthemeluesit e Roxy Music. Menjëherë pasuan një mori solo albumesh me shumë ndikim dhe të vlerësuara lartë. Produkcionet e tij vizionare përfshijnë albume me Talking Heads, Devo, Laurie Anderson, U2 dhe Coldplay, si dhe inçizime dhe bashkëpunime artistike me artistë sikurse David Bowie, John Cale, David Byrne, Grace Jones, James Blake dhe shumë, shumë të tjerë.
Po aq të rëndësishme dhe ndoshta edhe më kreative janë eksperimentet e tij vizuale me dritë dhe video. Pikërisht këto paraqesin tokën pjellore nga e cila janë rritur kaq shumë punime të tjera të Enos. Punimet vizuele te Enos mbulojnë një hapësirë edhe më të gjatë kohore se sa inqizimet e tij muzikore, ndërsa në disa dekada të fundit paralelisht punon në të dy fushat e artit. Veprat jashtëzakonisht të vlerësuara të Brian Eno-s janë ekspozuar në të gjithë globin - nga Bienalja e Venedikut dhe Pallati i Mermerit në Shën Petersburg deri në Ritan Park të Pekinit dhe velat e shtëpisë së operës në Sidnej.