Njerëzimi po hyn në revolucionin e katërt industrial dhe teknologjitë e mençura sjellin një mori ndryshimesh në ekonomi, tregun e punës dhe jetën tonë. Arsimimi është zgjidhja për t’i përgatitur fëmijët për sfidat e epokës së re. Përveç njohurive teknike klasike në fushën e teknologjisë së informacionit, vendet e punës në shekullin 21 kërkojnë njohuri dhe aftësi të reja. Bashkë me njohuritë dixhtale, për përparim të individëve dhe vetë shoqërive, do të duhet edhe mendimi analitik dhe kritik për zgjidhjen e problemeve.
Programi ynë 'Shkollat e Shekullit 21' është përgjigja ndaj kësaj kërkese. Zhvillimi i aftësive të nevojshme në shekullin 21 te fëmijët paraqet investim në të ardhmen e tyre, e si rrjedhim në të ardhmen ekonomike të Ballkanit Perëndimor.
Programi ynë do të ndihmojë sistemet arsimore në rajonin e Ballkanit Perëndimor që, ashtu si në vendet më të zhvilluara të botës, t’ju mundësojnë nxënësve të fitojnë aftësi të cilat në të ardhmen u ofrojnë atyre shanse më të mira për punësim dhe përparim personal. Duke investuar tani tek nxënësit, ne investojmë në të ardhmen e tyre.
Studimet e fundit tregojnë se në të ardhmen pjesa më e madhe e vendeve të punës do të hapen në sektorin e TI-së që po rritet shumë shpejt. Bazuar në këta tregues, programi ynë fokusohet në përfshirjen në sistemet arsimore të aftësive që parapëlqehen nga punëdhënësit: mendimin kritik, zgjidhjen e problemeve, kreativitetin dhe punën në ekip në gjetjen e zgjidhjeve për problemet e përditshme. Në bashkëpunim me të gjitha institucionet arsimore në vend, duam të përkrahim përmirësimin e praktikave të mësimdhënies në klasë në gjithë Ballkanin Perëndimor, dhe duke zhvilluar aftësitë e të rinjve, t’ju ofrojmë atyre shanse më të mira për punë në të ardhmen.