Punëdhënësit lokal mund të jenë burimi më i mirë i këshillimit dhe orientimit për nxënësit që mendojnë për karrierat e tyre të ardhshme. Duke punuar me bizneset, shkollat dhe kolegjet mund t'u japin nxënësve të tyre përvoja punë 'të botës reale', sjellin më shumë realitet në mësimnxënie, dhe u hapin sytë për rrugë të ndryshme karriere.

Morgan Sindall është një biznes ndërtimi i shtrirë në Mbretërinë e Bashkuar që ka më shumë se 10 vjet që është në partneritet me institucionet arsimore. Këtu, ata flasin për vlerën e partneriteteve industri-arsim, për nismat e tyre që ndihmojnë nxënësit të kuptojnë gamën e plotë të mundësive të punësimit që ata kanë në dispozicion, dhe rëndësinë e vendosjes së arsim formimit profesional dhe teknik (AFPT) si një rrugë e besueshme drejt një karriere të frytshme.

Tek Morgan Sindall, ne punojmë shumë për ruajtur lidhje të forta me komunitetet lokale ku ne punojmë. Duke pasur parasysh mungesën e njohur të aftësive me të cilat përballet industria e ndërtimit, një nga fushat kyçe ku ne jemi përqendruar është punësimi i të rinjve. Nëpërmjet një sërë nismash, ne punojmë drejtpërdrejt me shkollat, kolegjet dhe universitetet për t'u prezantuar botën e punës dhe për të nxjerrë në pah mundësitë e karrierës në dispozicion brenda industrisë së ndërtimit.

Shumë nga aktivitetet në këtë fushë janë organizuar dhe bashkërenduar nga tre këshilltarët e sipërmarrjes sonë, të cilët janë duke frymëzuar brezin tjetër që të eksplorojnë karrierat në një gamë të gjerë sektorësh, përfshirë edhe ndërtimin. Ne kemi edhe nje ekip të përkushtar të regjitstruar si Ambasadorët STEM, (Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë, Matematikës) të cilët kanë mbështetur deri më tani më shumë se 7,000 të rinj me më shumë se 300 orë vullnetare.

Ndërkohë që gjithnjë e më shumë punëdhënës po e pranojnë rëndësinë e angazhimit me nxënësit në të gjitha fazat e udhëtimit arsimor, ekziston një mundësi e vërtetë për shkollat dhe kolegjet që të sjellin më shumë realitet në programet e tyre të AFPT-së duke shfrytëzuar aftësitë dhe ekspertizën e bizneseve lokale. Këtu, ne ofrojmë disa nga mënyrat më efikase me të cilat po punojmë me shkollat dhe kolegjet si një burim frymëzimi për institucionet arsimore që kërkojnë të lidhen me punëdhënësit.

Këshillim dhe orientim praktik

Shumë nga nismat tona me shkollat dhe kolegjet përqendrohen në ofrimin e mbështetjes praktike për nxënësit duke u lidhur me ta në mjedisin e mësimit. Në këtë mënyrë, ne mund të nxjerrim në pah shumëllojshmërinë e mundësive të punësimit në dispozicion për ta brenda industrisë së ndërtimit dhe t'i mbështesim ata për të zhvilluar aftësitë, prirjet dhe qëndrimet e nevojshme që punëdhënësit në sektorë të ndryshëm presin prej kandidatëve të mundshëm. 

Ne u kërkojmë shumë prej menaxherëve tanë të ndërtimit, drejtuesve të projektit, drejtuesve në vendin e ndërtimit dhe inxhinierëve që të shkojnë në shkolla dhe kolegje për të bërë prezantime në lidhje me rolet e tyre dhe çfarë përfshihet në to. Disa nga punonjësit tanë më të rinj gjithashtu flasin për përvojat e tyre dhe u përgjigjen pyetjeve të nxënësve. Nëpërmjet hartimit të CV-ve dhe seancave të intervistave të simuluara, ne nxjerrim në pah përgjegjësitë dhe karakteristikat kryesore që kërkojnë punëdhënësit të shoqëruara nga aktivitete praktike për të zhvilluar aftësitë kryesore të punësimit.

Sfidat e arsimit

Nëpërmjet nismave sfiduese, ne ndihmojmë shkollat dhe kolegjet të sjellin përvoja të reja të të nxënit për të zhvilluar aftësitë e të rinjve dhe për të gjallëruar botën e ndërtimit. Një nismë e tillë është Konstruksionariumi, i cili u ofron nxënësve një përvojë praktike në ndërtim, duke u kërkuar që të ndërtojnë versione në miniaturë të projekteve inxhinierike nga e gjithë bota. Kjo nismë e lidh me sukses arsimin me industrinë duke formuar partneritete midis institucioneve akademike, kontraktuesve dhe këshilltarëve, duke kombinuar qasjet akademike, të projektimit dhe të zbatimit në terren. 

Si pjesë e Javës Britanike të Shkencës në 2017, ne sfiduam nxënësit e klasës së shtatë (11-12 vjeç) të shkollës St Benedict në Uajthaven, Kumbria që të jepnin propozimet e tyre për një kolonizim të qëndrueshëm të një planit të ri, duke marrë parasysh ujin dhe eleminimin e mbetjeve, prodhimin e energjisë, transportin, prodhimin e udhqimit dhe ndërtimin. Projekti nxiste nxënësit që të mendonin për lidhjet ndërmjet shkencës, ndërtimit dhe mjedisit dhe të vlerësonin ndikimin e tyre në mjedis. Grupet e nxënësve paraqitën propozimet e tyre tek përfaqësuesit e biznesit, duke ekspozuar se si ata kishin bërë kërkimet dhe zhvilluar aftësitë e menaxhimit të projektit, komunikimit dhe punës në grup. 

"Gjatë gjithë kohëzgjatjes së projektit, nxënësit shfaqën një nivel pjekurie përtej moshës së tyre për nxënës të klasës së shtatë. Ata punuan mirë në grupe dhe u sollën në mënyrë pozitive dhe profesionale. Prezantimi nuk është i lehtë dhe duke qenë të aftë të prezantonin me vetbesim para drejtorit, biznezeve lokale dhe bashkëmoshatarëve ishte me të vërtetë mbresëlënëse", thotë Gilian Johnston, kordinatore e investimeve e cila mori pjesë atë ditë. 

Mundësitë e përvojës së punës

Mundësia për të marrë përvojë pune cilësore duke punuar në vendin e punës i prezanton të rinjtë me botën e punës, por është edhe një pjesë e rëndësishme për t'i ndihmuar ata të vendosin për karrierën e tyre të ardhshme. Në vitin 2017, ne mbështetëm 170 ditë pune për të marrë përvojë punës për 28 të rinj në Anglinë Lindore. Një nga këta nxënës është Jack Chaplin, nga Shkolla e Mesme Stowupland, Sufolk. Ai beson se përvoja e tij tre javore në punë i ndryshoi mendimin për kursin që do të studionte në kolegj, dhe që atëherë ka filluar kualifikimin Niveli 3 në Mjedis Ndërtimi në Kolegjin West Suffolk, ndërkohë që vazhdon një ditë në javë përvojën e punës me Morgan Sindall për të plotësuar teorinë që po mëson. Sipas mendimit të një punëdhënësi, duke i mirëpritur nxënësit që marrin përvojë pune ndihmon në zgjerimin e shportës së talenteve të kandidatëve në fazën e pranimit, duke u dhënë të rinjve mundësinë që të shfaqin aftësinë e tyre dhe të rrisin vetëbesimin.

Nëse jeni një punëdhënës që kërkon të ndërtojë lidhje me arsimin, ose jeni një shkollë apo kolegj që kërkon të bashkëpunojë me bizneset lokale, Kompania e Karrierave dhe Sipërmarrjes ka vënë në dispozicion *materiale praktike në internet*  të cilat përmbajnë udhëzime dhe raste studimore në mbështetje të këtij procesi.

Linke të jashtme