Nëse planet tuaja ndryshojnë ose përballeni me rrethana të papritura, mund t’ju duhet të anuloni regjistrimin ose të ndryshoni datën e testit IELTS. Më poshtë gjeni rregullat që zbatohen për anulimin e regjistrimit, rimbursimin e pagesës dhe ndryshimin e datës së testit.
Informacioni në këtë faqe vlen për testin standard IELTS. Nëse jeni duke dhënë IELTS for UKVI, përfshirë IELTS for UKVI Life Skills, ju lutemi shikoni faqen me rregullat për anulimin dhe ndryshimin e datës së testit IELTS for UKVI.
Anulimi i testit IELTS dhe rimbursimi i pagesës
Ju mund ta anuloni regjistrimin për testin IELTS në çdo kohë para datës së testit përmes portalit Test Taker.
E drejta për rimbursim varet nga koha kur anuloni regjistrimin, si dhe nga ekzistenca e rrethanave të jashtëzakonshme.
| Koha e anulimit | Rregullat për rimbursimin |
|---|---|
| 15 ose më shumë ditë para datës së testit | Keni të drejtë për rimbursim prej 75% të shumës totale të paguar. Mbajtët një tarifë administrative prej 25%. |
| Brenda 14 ditëve para datës së testit | Nuk keni të drejtë për rimbursim. |
Nëse rregulloret për mbrojtjen e konsumatorit në vendin ku jeni regjistruar për testin IELTS parashikojnë të drejta më të favorshme në lidhje me anulimin ose ndryshimin e datës së testit, do të zbatohen rregulloret lokale.
Rrethana të jashtëzakonshme për kandidatët
Nëse sëmureni ose përballeni me rrethana urgjente personale në ditën e testit, mund t’i paraqisni qendrës suaj të testimit një kërkesë për shqyrtim të rrethanave të jashtëzakonshme (special consideration). Nëse kërkesa juaj miratohet, mund ta përdorni shumën e paguar për një datë të re testi ose, në raste të caktuara, të përfitoni rimbursim.
Rrethanat e jashtëzakonshme përfshijnë:
- përvojë traumatike jetësore;
- krizë serioze familjare ose personale;
- detyrime të menjëhershme ligjore ose ushtarake;
- gjendje të rëndë shëndetësore që ju pengon të merrni pjesë në test ose të arrini rezultatet tuaja të zakonshme në ditën e testimit;
- vdekjen e një anëtari të familjes ose rrethana të tjera të rënda jetësore;
- trazira civile ose kushte ekstreme të motit.
Kërkesën për shqyrtim të rrethanave të jashtëzakonshme mund ta paraqisni para datës së testit ose jo më vonë se dy ditë kalendarike pas datës së testit, nëse nuk keni marrë pjesë në test. Kërkesat nuk do të shqyrtohen pas publikimit të rezultateve.
Duhet të kontaktoni drejtpërdrejt qendrën tuaj të testimit dhe të paraqisni një shpjegim të detajuar, së bashku me dokumentacionin përkatës që vërteton arsyet e kërkesës.
Qendra e testimit do ta shqyrtojë kërkesën tuaj dhe do t’ju përgjigjet brenda shtatë ditëve pune nga marrja e dokumentacionit të plotë.
Nëse kërkesa juaj miratohet, do t’ju ofrohet rimbursim i pagesës ose ndryshim i datës së testit. Në raste të caktuara mund të aplikohet një tarifë administrative.
Ju lutemi vini re se përpunimi i kërkesave për rimbursim mund të zgjasë nga katër deri në gjashtë javë.
Për të paraqitur një kërkesë për shqyrtim të rrethanave të jashtëzakonshme, kontaktoni qendrën tuaj të testimit dhe dorëzoni kërkesën për anulim së bashku me dokumentacionin mbështetës.
Rrethana të jashtëzakonshme që lidhen me qendrën e testimit
Në disa situata jashtë kontrollit të qendrës së testimit, mund të jetë e nevojshme që testi juaj të anulohet dhe të zhvendoset në një datë tjetër. Këto rrethana përfshijnë, por nuk kufizohen në:
- kushte ekstreme të motit;
- fatkeqësi natyrore;
- trazira civile;
- greva;
- forcë madhore.
Në këto raste, qendra e testimit do t’ju njoftojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe do t’ju ofrojë mundësinë të zgjidhni:
- rimbursim të plotë të shumës së paguar; ose
- ndryshim të datës së testit në një datë tjetër që ju përshtatet.
Nëse testi anulohet ose shtyhet për arsye të tjera, si probleme teknike ose probleme me ambientet apo kushtet e zhvillimit të testit, qendra e testimit do t’ju informojë në kohën e duhur dhe do t’ju ofrojë mundësinë për rimbursim ose ndryshim të datës së testit.
Ndryshimi i datës së testit IELTS
Nëse jeni regjistruar për testin IELTS dhe dëshironi të ndryshoni datën e provimit, mund të paraqisni kërkesë për ndryshim të datës.
Kushtet për ndryshimin e datës varen nga koha kur paraqisni kërkesën.
| Koha e paraqitjes së kërkesës | Rregullat për ndryshimin e datës |
|---|---|
| 15 ose më shumë ditë para datës së testit | Deri në pesë ndryshime të datës pa kosto shtesë. |
| Nga 5 deri në 14 ditë para datës së testit | Ndryshimi i datës është i mundur me një tarifë administrative prej 60 EUR. |
| Më pak se 5 ditë para datës së testit | Ndryshimi i datës nuk është i mundur. Kërkesa do të trajtohet si anulim i regjistrimit dhe do të zbatohen rregullat përkatëse për rimbursim. |
Kërkesën për ndryshim të datës mund ta paraqisni përmes portalit Test Taker, në seksionin Manage my booking.