©

Patrick Tomasso na Unsplashu

Në këtë artikull, Eliza Easton, Hulumtuese kryesore në çështjet e politikave në Nesta dhe Shefe e Njësisë së saj për politika, Qendra për politika të industrive kreative dhe dëshmi, shpjegon rëndësinë jetike të kreativitetit në një epokë automatizimi.

Me industritë kreative të përcaktuara si sektor prioritar në Strategjinë industriale të qeverisë së MB-së, duket se politikë-bërësit ndoshta po vetëdijesohen për rëndësinë e kreativitetit për të ardhmen e Mbretërisë së Bashkuar.

Nesta drejton Qendrën për politika të industrive kreative dhe dëshmi (PEC), të financuar nga Këshilli për kërkime në arte dhe shkenca humane i Mbretërisë së Bashkuar, si pjesë e Strategjisë industriale të qeverisë.

Kjo qendër synon të nxisë një ndryshim radikal për industrinë, politikë-bërësit dhe komunitetin e gjerë të kërkimeve në cilësinë e dëshmive për industritë kreative, duke i shtyrë hulumtuesit më të mirë në mbarë MB-në t’i përgjigjen disa prej pyetjeve më urgjente për këtë sektor 100 miliardë funtësh.

Megjithatë, ne e pranojmë se industritë kreative nuk e kanë monopolin e kreativitetit. Si në Nesta ashtu edhe në PEC, jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e kreativitetit në tregun e punës. Kjo është veçanërisht e vërtetë sepse në të kaluarën Kërkimi i Nesta-s ka vlerësuar se robotët vështirë se mund t’i zëvendësojnë vendet e punës që kërkojnë kreativitet dhe si rrjedhim këto kanë perspektivë premtuese.

Megjithatë, nganjëherë krijohet ndjenja se fjala ‘kreativ’ është përdorur kaq shumë saqë nuk ka më kuptim. Disa vlerësojnë se tani të gjitha vendet e punës, qoftë në kafeteri ose bankë, po përshkruhen si kreative. Për shembull, Subway, një dyqan sanduiçësh, i quan punëtorët e saj ‘artistë ’.

Për ta kuptuar nëse kjo është e vërtetë, kemi parë 35 milion shpallje për punë dhe kemi studiuar se ku është përdorur fjala ‘kreativitet’ dhe, mbi të gjitha, raportin e saj me rritjen në të ardhmen. Lidhjen për kërkimin tonë mund ta gjeni poshtë këtij artikulli. 

Me gjithë abuzimin e rregullt me këtë fjalë, kërkimi ynë zbuloi se kreativiteti ka mundësi të bëhet edhe më i rëndësishëm në të ardhmen në tregun e punës. Ndonëse bëhet fjalë për një shkathtësi të transferueshme, jo çdo shpallje pune e parashtron ‘kreativitetin’ si kërkesë. Në fakt, shpalljet e punës për profesionet kreative në listën zyrtare të Departamentit britanik për digjitalizim, kulturë, media dhe sporte (DCMS) ka më shumë gjasa ta kërkojnë. Përmes kërkimit tonë shkathtësitë e të ardhmes me shtëpinë botuese për edukim Pearson, po ashtu mësuam se vendet e punës që kërkojnë kreativitet ka gjasa të rriten si përqindje  e tregut të punës deri në vitin 2030. 

Në fakt, nga të gjitha shkathtësitë e transferueshme që kemi shqyrtuar, kreativiteti ishte një nga parashikuesit më të mëdhenj të perspektivës së një vendi pune. Konstatuam se ky probabilitet i rritjes ishte veçanërisht i fortë kur ndërlidhej me shkathtësitë e menaxhimit të projekteve – që del të jetë kombinimi më i fuqishëm për të ardhmen.

Është me rëndësi (dhe ndoshta edhe e parashikueshme) se kërkimi ynë po ashtu konstatoi se e ardhmja e kreativitetit nuk është e kufizuar vetëm në profesionet e përfshira në listën e profesioneve kreative të DCMS-së. Vendet e tjera të punës që rregullisht e kërkojnë kreativitetin në shpalljet e tyre për punë përfshijnë lule shitësit, bukëpjekësit dhe pastiçeritë, kuzhinierët, floktarët dhe berberët. 

Janë edhe disa role që i kanë shumë nga shkathtësitë teknike që kërkohen te ‘profesionet kreative’, por që ka më pak gjasa të kërkojnë hapur për ‘kreativitet’ Në veçanti, shumë lloje inxhinierësh dhe personash që merren me prodhim dhe zhvillim të biznesit kanë shumë të përbashkëta me ‘profesionet kreative’. 

Ky kërkim është kaq i rëndësishëm për shkak se është e lehtë të mendosh se zgjidhja për sfidat e automatizimit dhe e ardhmja e punës qëndron vetëm në ‘investimin në shkathtësi digjitale’. 

Kjo me gjithë faktin se kërkimi i mëhershëm i Nesta-s ka treguar se 'vendet e punës në zhdukje' – ato me gjasa të rënies si përqindje e fuqisë punëtore – ka më shumë gjasa të kenë nevojë për shkathtësi digjitale se sa ato që ka më shumë gjasa të rriten në të ardhmen. Kjo sepse ka vende pune me perspektivë që aktualisht nuk kanë nevojë për shumë shkathtësi digjitale - përfshirë mësimdhënësit dhe kuzhinierët, por kjo do të ndryshojë në të ardhmen. Kërkimin për Shkathtësitë e të ardhmes mund ta gjeni të plotë në lidhjen më poshtë. 

Aty ku nevojiten shkathtësi digjitale, ato dallojnë dukshëm për vendet e punës që ka gjasa të rriten dhe vendet e punës që ka gjasa të pësojnë rënie. Ajo që i veçon shkathtësitë digjitale ‘të mbrojtura në të ardhmen’ është përdorimi i tyre për detyra jorutinore, zgjidhje të problemeve dhe krijim të përmbajtjes digjitale.

Çka do të thotë kjo? Është një përkujtesë e rreptë se përdorimi i fjalës ‘kreativitet’ – ndonëse i përdorur me tepri – ende mund të na thotë shumë për një punë. Në fakt, ende mund të na ndihmojë të kuptojmë se si ajo punë do të ecë në të ardhmen. Dhe është përkujtesë për politikë-bërësit, punëdhënësit dhe fuqinë punëtore se shkathtësitë digjitale nuk janë asgjë nëse nuk mbështeten me kreativitet – qoftë kjo të qenit kreativ me një fletë llogaritjeje ose me një kavaletë dhe penel.  

Nesta është fondacion global i inovacionit. Ajo mbështetë idetë e reja për të adresuar sfidat e mëdha të kohës sonë, përmes njohurive të saj, rrjeteve, financimit dhe shkathtësive. Nesta punon në partneritet me të tjerët, duke përfshirë qeverinë, bizneset dhe bamirësitë. Është bamirësi e MB-së që punon në mbarë botën, e mbështetur me donacion financiar. 

 

Më shumë

Linke të jashtme