Vajzat dhe gratë nuk shohin shumë shembuj të shkencëtareve dhe inxhiniereve femra nëpër libra, media dhe kulturën popullore. Një studim zbuloi se nëse vajzat do të kishin po aq modele të grave shkencëtare sa djemtë me shkencëtarët meshkuj, hendeku gjinor në inovacion mund të përgjysmohej. Për shembull, a keni dëgjuar më parë për Ada Lovelace ose Rosalind Franklin? Shumë njerëz nuk e dinë se zbulimet më të mëdha që formësuan botën siç e njohim ne, erdhën nga shkencëtare femra dhe se kontributi i tyre duket se lihet mënjanë.

Historia

Pjesëmarrja e zonjave në zhvillimin e teknologjive filloi me punën e pionieres britanike të informatikës dhe programimit, Konteshës Ada Lovelace. Algoritmi i saj konsiderohet të jetë algoritmi i parë i shkruar posaçërisht për kompjuterin, i cili i jep asaj titullin e programueses së parë. Ajo dha kontributin më të madh në shkencë duke zhvilluar një makinë analitike që konsiderohet pararendëse e kompjuterave të parë dhe me angazhimin dhe vizionin e saj ajo hapi rrugën për mijëra gra që sot janë pjesë e industrisë së IT. Charles Babbage, shpikësi britanik, i cili zhvilloi një makinë llogaritëse revolucionare me avull, u impresionua aq shumë nga aftësitë e saj, saqë e quajti atë "magjepsësja e numrave". Gjuha e hershme e programimit Ada, u quajt për nder të saj dhe e Marta e dytë e Tetorit është Dita e  Ada Lovelace, ditë në të cilën nderohen kontributet e grave në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. 

Një shembull tjetër i mendjes së jashtëzakonshme femërore është Rosalind Franklin, e cila ishte një shkencëtare britanike e njohur për kontributet e saj në zbulimin e strukturës molekulare të acidit deoksiribonukleik (ADN), një përbërës i kromozomeve që shërben për të koduar informacionin gjenetik. Ajo thoshte se "Shkenca dhe jeta e përditshme nuk mund dhe nuk duhet të ndahen".

Potenciali i tyre, pasioni dhe vizioni i tyre për teknologjinë, i kanë bërë ato simbole të fuqishme për gratë moderne në teknologji.

Hendeku gjinor në Shkencë dhe IT

Sot, pjesëmarrja e grave në sektorin e IT është rreth 20 dhe 30 përqind dhe parashikohet që në 5-10 vitet e ardhshme kjo shpërndarje do të arrijë deri në 40 përqind! Profesionet në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë (STEM) pritet të përjetojnë rritje të shpejtë në dekadën e ardhshme. Hendeku gjinor në Europë në STEM është veçanërisht i gjerë në teknologjitë e informacionit dhe komunikimit. Arritja e barazisë gjinore në arsimin STEM mund të shtojë deri në 1.2 milion vende pune dhe 610-820 miliardë euro në PBB-në e Evropës deri në vitin 2050.

Sfidat më të mëdha për gratë në industrinë e IT janë që ato zakonisht paguhen më pak për të njëjtat pozicione krahasuar me burrat, dhe se ato kanë më pak shanse për të përparuar në hierarkinë e ndërmarrjes. Globalisht, gratë përbëjnë vetëm 16 përqind të menaxherëve në industrinë e teknologjisë së informacionit. 30 përqind e grave mbi moshën 35 vjeç janë ende në pozicione të ulta, ndërsa 85 përqind e burrave të moshës 25 deri në 34 janë në pozita të larta.

Në kompani të tilla si Google, Apple, Facebook dhe Microsoft, përqindja e grave në numrin e përgjithshëm të të punësuarve është rreth 23 përqind. Hendeqet gjinore janë veçanërisht të mëdha në disa nga punët me rritjen më të shpejtë dhe me pagën më të lartë të së ardhmes, si shkenca kompjuterike dhe inxhinieria.

Ndërsa një numër në rritje i grave po regjistrohen në Universitete, shumë zgjedhin nivelet më të larta të kërkuara për një karrierë në shkencë. Vetëm 30 për qind e pozicioneve kërkimore janë zënë nga gratë në të gjithë botën. Gjithashtu, vetëm 21 përqind në fushat e inxhinierisë dhe 19 përqind në fushat e shkencave kompjuterike merren nga gratë. Sidoqoftë, ne mund të gjejmë disa përjashtime vërtet të habitshme. Për shembull, në Bolivi, gratë përbëjnë 63 përqind të studiuesëve, krahasuar me Francën me një normë prej 26 përqind ose Etiopia me 8 përqind.

Gratë në Shkencë dhe IT në Shqipëri

Në Shqipëri, rreth 55 përqind e pozicioneve drejtuese në fushën e Komunikimit dhe Teknologjisë së Informacionit janë gra. Sipas programit "Shkollat e Shekullt 21", Këshilli Britanik ka zhvilluar një udhëzues dhe një sërë aktivitetesh për të ndihmuar shkollat fillore të krijojnë Klubin e Kodimit si një aktivitet jashtëshkollor. Ky program ndiqet në mënyrë të barabartë nga vajza dhe djem.

Gjërat po ndryshojnë për mirë, situata po përmirësohet, hendeku gjinor po zvogëlohet, por nëse me të vërtetë synojmë të plotësojmë nevojat e ekonomisë së shekullit 21, ne duhet të thyejmë barrierat, të rrisim interesin e vajzave në STEM dhe të inkurajojmë më shumë gratë për të ndjekur karrierën e tyre.

Në vitin 2015, Kombet e Bashkuara shpallën 11 Shkurtin si Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë.