Shoqëria ka lëvizuar nga epoka industriale në epokën e informacionit. Dinamikat e vendit të punës po ndryshojnë me ritme gjithnjë e më të shpejta, si kurrë ndonjëherë që prej Revolucionit të 4-rt Industrial. E gjitha kjo si pasojë e avancimit të teknologjisë, inteligjencës artificiale, robotikës dhe përfshirjes së teknologjisë në cdo proçes pune. Shumë aftësi që vetëm një dekadë më përpara do të konsideroheshin si të jashtëzakonshme, tani janë të mirëqëna, përshembull përdorimi i kompjuterit, deri përpara disa vitesh të dije të punoje në kompjuter, ishte një vlerë e shtuar, sot është një normë. Njëlloj pas një dekade, aftësi që tani konsiderohen të jashtëzakoshme do të konsiderohen normale.

Kjo do të na vërë përpara sfidës së madhe, të përgatitemi për profesione që nuk ekzistojnë sot. Unë jam Adela Kallanxhi, sipërmarrëse dhe profesioniste në Digital Marketing. Kur unë isha në shkollë, puna që unë bëj sot atëherë nuk ekzistonte, kujt ja merrte mendja se do të ishte profesion  menaxhimi i rrjeteve sociale, kur atëherë rrjetet sociale nuk ekzistonin.

Adela Kallanxhi

Interneti, avancimi i teknologjisë dhe shkencës, do të bëj që shumë profesione që sot janë të lakmuara, në të ardhmen do të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale dhe robotika, prandaj duhet te përgatisim brezin e ri dhe fëmijët me aftësitë të cilat nuk mund të zëvendësohen nga pajisje inteligjente. Ti mësojmë të mendojnë në mënyrë kritike, ti mësojmë të shprehen, të vlerësojnë artin, shkencën, filozofinë, psikologjinë dhe gjithcka tjetër që nuk të bën ty pjesë të një procesi, apo suksesi nuk vjen thjesht duke ndjekur disa rregulla standart dhe bazikë.

Të gjithë ato profesione që janë të bazuar në një proces apo në disa rregulla, janë ato që do të zëvendësohen të parat nga robotët. E kështu asnjë nuk do të donte që fëmija i tyre të ishte 40 vjec dhe të gjendej i papunë në botë ku aftësitë e tij nuk kanë më vlerë?!

Prandaj në mënyrë që të shkëlqejnë në të ardhmen, do të duhet të përgatisim brezin e ri me të gjitha aftësitë që do të duhen në shekullin e 21, por cilat janë këto?

Deri tani kemi vlerësuar aftësitë analitike mbi ato kualitative, inteligjencën mbi inteligjencën emocionale, të shkëlqyerit në matematikë mbi të qënurin një person i orientuar drejt zgjidhjes së problemeve.

Në shekullin e 21 duhet ti mësojmë fëmijët të përdorin kreativitetin për të zgjidhur një problem, imagjinatën, bashkëpunimin, komunikimin, analizimin e informacionin, vlerësimin e teknologjisë për ta parë këtë të fundit si një mjet që ata mund ta përdorin dhe jo të përdoren nga ajo, të mos i imponojmë zgjidhje dhe të vlerësojmë aftësinë e tyre për të dal nga rryma.

Sot të jesh Youtuber është profesion, të jesh gamer është profesion, të jesh influencer po ashtu, ndoshta po aq të paguara, në disa raste edhe më tepër se sa punë tradicionale.

Superheroi i shekullit të 21 është pa mantel, pa superfuqi, por me kreativitet, integritet, altruizën dhe empati.

Adela Kallanxhiu

Një nga të paktat gra sipërmarrëse në fushën e TIK, bashkëthemeluese e Big Media Expert dhe e Agjensisë së Transformimit Dixhital që edhe sot shoqëron bizneset më të konsoliduara shqiptare dhe jo vetëm në rrugën e tyre drejt dixhitalizimit. Adela, së bashku me vëllain e saj është gjithashtu themeluese e Shpi.al, Gati.me dhe Altropost.