Shkolla "3 Dhjetori" është një shkollë speciale në Shkodër, Shqipëri. Shkodra njihet si një nga qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë, me historinë e saj dhe trashëgiminë kulturore. Shkolla speciale ofron shërbime arsimore dhe zhvillimore për fëmijët me nevoja të veçanta. Ajo u themelua rreth 38 vjet më parë (që nga viti 1983), duke pasur një përvojë të konsiderueshme në arsimin special në rajon. Aktualisht, shkolla ofron arsim për fëmijët me çrregullime të rënda të formave të ndryshme, nga klasa e 1-rë në të 9-tën. Përveç kësaj shkolla funksionon gjatë gjithë ditës dhe gjithashtu siguron ushqim dhe transport për fëmijët që e ndjekin atë.

Impakti i programit

Mësuesit që u trajnuan filluan të zbatojnë teknikat e reja, veçanërisht duke përdorur pajisjen Mikrobit për kodimin. Mësuesit e intervistuar raportuan se fëmijët ishin entuziastë në ushtrimet e kodimit me Mikrobit. Meqenëse ata nuk mund të përqendroheshin më gjatë dhe për shkak të ashpërsisë së çrregullimit të tyre, ata u përfshinë vetëm në ushtrime të thjeshta kodimi, të tilla si shkrimi i emrave të tyre, dhe krijimi i figurave duke përdorur ikona led, etj. Megjithatë, “fëmijët munden të përdorin kodimin dhe ushtrime të plota vetëm në modelet e dhëna. Ata nuk ishin në gjendje të krijonin vetë një projekt të ri kodimi ”, tha një mësues që i drejtoi nxënësit në aktivitete të tilla. Mësuesit i përdorën aktivitetet e kodimit si mënyrë ekstra-kurrikulare e punës, sepse aktivitetet e lidhura me TIK nuk ishin parashikuar në kurrikulën e arsimit special.

Sipas drejtorit të shkollës, aktivitetet e programit që u zbatuan, stimuluan më shumë formën e socializimit të të mësuarit dhe më shumë bashkëveprim në punën në grup. Veçanërisht, duke përdorur pajisjet Mikrobit, fëmijët mundën të mësojnë nga njëri-tjetri, duke vëzhguar punën e tjetrit, si dhe duke demonstruar punën e tyre para të tjerëve. Fëmijëve u pëlqente shumë kur arritën të shkruanin emrat e tyre dixhitalisht, dhe që ata mund të vinin në lëvizje emrat e tyre në ekranet e Mikrobitëve. Kjo u konfirmua edhe nga psikologu i shkollës, i cili po vëzhgonte disa nga aktivitetet e zhvilluara. Mikriobiti ishte diçka e re për mësuesit si dhe për nxënësit, ndërsa teknikat e tjera si mendimi kritik dhe zgjidhja e problemeve ishin më të njohura për mësuesit. Sipas drejtorit të shkollës, mësues të tjerë gjithashtu mundën të përfitojnë nga programi, duke marrë pjesë në aktivitete të përbashkëta me mësuesit e trajnuar.

Faktorët që kontribuojnë ose frenojnë ndikimin e programit

Faktorët kryesorë frenues të identifikuar për zbatimin e duhur të programit:

  • Mësuesit pohuan se nuk ishte e mundur të përdoreshin aktivitete të tilla më gjatë, meqenëse ishte mungesa e hapësirës për aktivitete të TIK, dhe ishte e vështirë për t'i organizuar ato në klasa të rregullta. Ata duhej të përdornin vetë kompjuterët që sillnin nga shtëpia.
  • Përveç kësaj, aksesi i kufizuar në internet ishte gjithashtu një faktor tjetër i rëndësishëm që mësuesit nuk mund të vazhdonin të organizonin aktivitete koduese me nxënësit.
  • Mësuesit theksuan se ishte për të ardhur keq që Ministria e Arsimit në Shqipëri nuk përfshinte TIK-un fare për kurrikulën e shkollave të arsimit special. Prandaj, programet mësimore të miratuara për shkollën gjithashtu nuk ishin aspak fleksibile për të lejuar aktivitete të tjera të paparashikuara, siç janë aktivitetet e TIK, duke përfshirë kodimin.
  • Për shkak se aktivitetet në klasë ishin kryesisht të organizuara në bazë të planeve individuale të fëmijëve, aktivitetet e punës në grup ishin pothuajse të pamunduru të organizoheshin. Me këta fëmijë është e vështirë të drejtosh shumëllojshmëri të aktiviteteve të të mësuarit në grup.
  • Mësuesit nuk mund ta përdornin procesin e kodimit për t'a lidhur me aktivitetet e tyre mësimore kurrikulare, për shkak të paaftësisë së fëmijëve për t'u marrë me të nxënit e thelluar.

Edhe pse faktorët që kontribuan në zbatimin më të mirë ishin të paktë, ata ishin të rëndësishëm për fëmijët:

  1. Aktivitetet e kodimit motivuan jashtëzakonisht shumë fëmijët, prandaj kjo situatë ndikoi që fëmijët ta pëlqejnë më shumë shkollën.
  2. Duke marrë pjesë në aktivitetet e kodimit, fëmijët po ndërvepronin më shumë me njëri-tjetrin, prandaj mësimi i socializuar u promovua më mirë.
  3. Gjithashtu u krijua një qëndrim më pozitiv edhe tek prindërit, pasi fëmijët e tyre ishin më të motivuar për të ndjekur aktivitetet e shkollës.

Mundësitë për të përmirësuar, rritur ose kopjuar modelin

U vu re një qëndrim pozitiv midis mësuesve dhe drejtorit të shkollës në lidhje me programin, dhe veçanërisht në lidhje me potencialin e ndjekjes. Ata pretenduan se më shumë mësues në të ardhmen do të ishte e nevojshme të trajnohen në mënyrë që të ketë një zbatim më masiv të programit. Sidoqoftë, sipas tyre, kjo duhet të bashkohet me veprime për të përmirësuar infrastrukturën e TIK-ut në shkollë (hapësirë, pajisje dhe internet) si dhe leje kurrikule më fleksibile nga autoritetet arsimore për shkollat e arsimit special, në mënyrë që shkolla të ndjekë më shumë nevojat e qasjes së implementimit.