24 Mars 2021 – Ekipi i nxënësve nga shkolla 'Ded Gjo Luli' nga Hot i Ri, Shkodër fitoi vendin e parë në Sfidën e tretë të Kodimit, organizuar nga British Council si pjesë e programit “Shkollat e Shekullit 21”. Qëllimi i këtij eventi ishte që të frymëzonte nxënësit të përdornin kodimin në zgjidhjen e problemeve të jetës së përditshme të cilat ata identifikuan në shkollat e tyre dhe në komunitetin lokal.

Emri i projektit fitues është 'Komuniteti im'. Duke përdorur kodimin, mendimin kritik dhe aftësitë e zgjidhjes së problemeve, të cilat u mësohen në programin “Shkollat e Shekullit 21”, ekipi i nxënësve të rinj Marija Pllubaj dhe Marin Dedvukaj, me mbështetjen e mësuesit të tyre të TIK-ut Jasmina Bajraktari, zgjidhën problemin e shpyllëzimit, përmbytjes, sinjalistikës, ekosistemit, parashikimit të motit si dhe disa lojërave antistres për fëmijët gjatë periudhës aktuale të pandemisë.

“E shijova vërtet shumë kodimin me mikrobit. Shoku im dhe unë ia dolëm të punonim si një ekip dhe të krijonim një prototip tërësisht funksional të problemeve të ndryshme që prekin komunitetin tonë. Padyshim që të nxënit është më argëtues kështu.” – u shpreh një nga fituesit.

Pavarësisht pandemisë dhe mësimit në distancë, mësuesit dhe nxënësit treguan reziliencë dhe gatishmëri të madhe për të krijuar projekte inovatore dhe për të qenë pjesë e garës. Procesi i aplikimit, si dhe vetë aplikimi u zhvillua online, për të mbrojtur të gjithë personat e përfshirë. Nga 145 shkolla që aplikuan, dhjetë ekipet më të mira të shkollave u përzgjodhën për t’i prezantuar projektet e tyre përpara jurisë.

Programi 'Shkollat e Shekullit 21' është një program ambicioz trevjeçar i cili vlen 10 milionë paund, i financuar nga qeveria e MB-së, i hartuar dhe zbatuar nga British Council për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Programi po zbatohet në partneritet me institucionet arsimore përkatëse në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe synon të mbështesë mbi 1 milion nxënës të moshave 10-15 vjeç në zhvillimin e kodimit, mendimit kritik dhe aftësive të zgjidhjes së problemeve, duke ofruar mundësi më të mira për punësimin e të rinjve dhe si pëfundim të mbështesë zhvillimin ekonomik.