Tiranë, 8 Qershor, shkolla ’’Marie Kaçulini’’ fitoi vendin e parë në Sfidën e katërt të Kodimit duke krijuar projektin e quajtur ’’Smart City’’. Konkursi u organizua nga Këshilli Britanik me synimin për të frymëzuar fëmijët për të zgjidhur problemet që ata njohin në mjedisin e tyre duke përdorur pajisjet mikrobit. Shkolla ’’Met Hasa’’ fitoi vendin e dytë kurse shkolla ’’Gur i Zi’’ nga Elbasani fitoi vendin e tretë.

Konkursi u organizua si pjesë e programit "Shkollat e Shekullit 21", i cili zbatohet në Shqipëri nga Këshilli Britanik në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, dhe financohet nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

 Këshilli Britanik është jashtëzakonisht i shqetësuar për shëndetin dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në konkurs gjatë pandemisë, kështu që konkursi u zhvillua në internet për herë të dytë këtë vit. Shkollat prezantuan projektet e tyre në formatin dixhital, ku juria përzgjodhi 10 projektet më të mira për tu prezantuar në finalen e eventit ’live’. Nxënësit e shkollës fillore treguan edhe një herë se sa lehtë përshtaten dhe sa mirë i menaxhojnë teknologjitë dixhitale.

Projekti fitues i quajtur ’’Smart City’’ u krijua nga nxënësit Amelia Lloshi dhe Roan Garipi nën mentorimin e mësueses Etleva Çelmeta. Projekti synon të ndihmojë funksionimin sa më të mirë të institucioneve përkatëse në qytetin e Durrësit, për të gjithë banorët por sidomos për ata me aftësi ndryshe. Fituesit, thanë se ishin jashtëzakonisht të lumtur për fitoren dhe se shpresojnë që projekti i tyre të ndihmojë shkollën e tyre, por edhe komunitetin e gjerë në zgjidhjen e problemeve reale.

Rreth programit ’Shkollat e Shekullit 21’

’Shkollat e Shekullit 21’ është një program arsimor ambicioz tre-vjeçar me vlerë 10 milion paund, i hartuar dhe zbatuar nga British Council në Ballkanin Perëndimor, dhe financuar nga Qeveria e MB-së.

Qëllimi i këtij programi, i cili zbatohet në partneritet me institucionet arsimore kompetente të vendeve pjesëmarrëse, është t’u mundësojë një milion nxënësve të moshës 10-15 vjeç të fitojnë aftësitë e të menduarit kritik dhe zgjidhjen e problemeve. Përveç kësaj, fëmijët do të fitojnë aftësi praktike të programimit dhe do të kenë mundësinë të përmirësojnë aftësitë e tyre përmes programimit të pajisjeve fizike (physical computing).