Edhe pse ende po përballemi me kushtet e vështira të pandemisë, ne mundëm të rifillojmë trajnimet tona për ciklin e katërt të programit ‘Shkollat e Shekullit 21’.

Ndërsa kufizimet janë lehtësuar, ne kemi realizuar në mënyrë të sigurt trajnimet e drejtpërdrejta apo siç quhen ndryshe face-to-face duke përdorur protokolle të rrepta për të mbrojtur trajnerët dhe pjesëmarrësit tanë. Një nga parimet tona kryesore gjatë organizimit të trajnimeve ishte reduktimi i numrit të personave në klasë dhe sistemimi i ambjenteve për të siguruar zbatimin e distancës sociale. Treguam një kujdes të veçantë edhe në zbatimin e masave higjeno-sanitare dhe të  mbrojtjes nga virusi të tilla si, mbajtja e maskave, dizifektimi i çdo ambjenti dhe i pajisjeve të punës, pastrimi i vazhdueshëm i duarve dhe mbajtja e nje higjene personale sa më të mirë.

 

Gusht 2020 - Trajnimi për Drejtuesit e Shkollave

Në datat 28 dhe 29 Gusht trajnerët tanë realizuan 8 sesione dy-ditore në rajonin e Lezhës, Durrësit, Fierit dhe Elbasanit ku morrën pjesë rreth 110 drejtorë shkollash.
Gjatë këtyre sesioneve, drejtorët e shkollave u trajnuan për integrimin e aftësive të kodimit me ato bazë në aktivitetet kurrikulare dhe ato jashtë saj, duke përfshirë këtu edhe një session për marrjen e feedback-ut nga ana e tyre.

Shtator 2020 - Trajnimi për mësuesit

Në qytetet e Durrësit, Lushnjes, Fierit, Elbasanit, Lezhës dhe Bulqizës u mbajtën njëkohësisht 34 sesione trajnimi tre-ditore të ndara në tre raunde: 03-05 Shtator, 08-10 Shtator dhe 11-13 Shtator 2020. Nga 118 shkolla të këtyre rajoneve morën pjesë rreth 440 mësues.
Trajnimet për ciklin e katërt të programit tonë ‘Shkollat e Shekullit 21’ përfunduan kështu me sukses duke e vënë edhe një here theksin në integrimin e aftësive të mendimit kritik, zgjidhjes së problemeve dhe kodimit në procesin e mësimdhënies dhe të të nxënit.