HMA and Minister visit, oct 2020

HMA Duncan Norman vizitoi sot shkollën ‘Qamil Guranjaku’ në Elbasan, së bashku me Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi. Ata u takuan me mësuesit dhe nxënësit për të diskutuar mbi programin e Shkollave të Shekullit 21.

Nxënësit e shkollës Qamil Guranjaku, pjesëmarrës të Programit të Shkollave të Shekullit 21 kanë punuar së fundmi projektin e tyre "Kurseni energji sot, për më shumë dritë nesër" i cili synon të kursejë energji në mjediset e shkollës dhe të sensibilizojë çdo individ për të gjetur mënyra alternative për ta ruajtur atë.

Nxënësit kanë përdorur inovacione teknologjike si Mikro-bit, për të dhënë sinjale dhe mesazhe mbi mirë përdorimin e energjisë elektrike në shkollë.

Qëllimi i projektit të tyre është të kursejë energji elektrike në mjediset e shkollës përmes ndryshimeve në sjelljen e zakonshme dhe rutinën e secilit individ brenda institucionit duke përdorur teknologji të thjeshta inteligjente dhe me kosto të ulët për menaxhimin e energjisë elektrike.

HMA Duncan Norman: “Jam shumë i lumtur që jam këtu për të parë të gjithë mundin dhe krijimtarinë që këta nxënës kanë vënë në projektet e tyre si pjesë e programit të “Shkollave të Shekullit 21”. Ne jemi duke punuar për të krijuar një mjedis arsimor më tërheqës për fëmijët i cili zhvillon aftësitë e tyre të të menduarit kritik dhe zgjidhjen e problemeve. Po punojmë së bashku sepse këto janë aftësitë që duhet të kenë si fëmijët në Mbretërinë e Bashkuar ashtu dhe në Shqipëri.”

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi: “Ndihem shumë e lumtur që jam këtu me ju sot dhe të shoh rezultatet e këtij projekti të shkëlqyer që ju mundëson të jeni gati për tregun e ardhshëm të punës. Faleminderit shumë Këshillit Britanik për zbatimin e këtij projekti jo vetëm në qytetin e Elbasanit, por në të gjithë Shqipërinë. ”

Shkolla Qamil Guranjaku është një nga 800 shkollat ​​në Shqipëri, të përfshira në Programin e “Shkollat e shekullit 21”. Që prej fillimit, 3000 mësues janë trajnuar për mendimin kritik, zgjidhjen e problemeve dhe kodimin. Deri më tani, 16,800 Mikro-bit janë shpërndarë nga 24,000 që do të shpërndahen deri në fund të programit.

Gjithashtu programi ka trajnuar 110 drejtues shkollash dhe 480 mësues duke ofruar trajnime në grupe të vogla dhe nën masa të rrepta për të garantuar distancën sociale. 

Pas Sfidës së parë të Kodifikimit në Janar 2020, konkursi i dytë do të organizohet online në Nëntor 2020, për shkak të situatës me Covid-19. 180 shkolla kanë aplikuar mbi thirrjen e 2-të të kodimit dhe 10 projektet më të mira janë zgjedhur për të konkurruar në eventin e Nëntorit.

Programi ““Shkollat e shekullit 21”” është një program arsimi tre vjeçar, i zbatuar nga British Council dhe ka për qëllim të zhvillojë aftësitë kryesore të shekullit 21 të mbi një milion nxënës të moshës 10-15 vjeç në vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi) dhe do të përfshijë të gjitha shkollat e arsimit bazë në Ballkanin Perëndimor.

“Shkollat e shekullit 21” është një program që ofron mentorim të vazhdueshëm dhe burime të vlefshme për ngritjen e kapaciteteve të drejtorëve dhe mësuesve të shkollave, si dhe të politikë bërësve.